Kërkohet përjashtimi nga kombëtarja për Karim Benzema
Paris, 24 nëntor - Telashet nuk mbarojnë për Karim Benzema. Këtë radhë, sulmuesi francez është vënë në shënjestrën e kritikave të ashpra të eurodeputetes franceze Nadine Morano, e cila kërkoi përjashtimin e përhershëm të tij nga përfaqësuesja, pasi në sfidën me Anglinë pështyu në përfundim të ekzekutimit të himnit të Francës.
Benzema pështyu kur Marsejeza përfundoi së ekzekutuari. Nuk e meriton të luajë më me kombëtaren, pasi ofendoi memorien e viktimave të sulmeve në Paris, tha Morano.
Nuk është hera e parë që Morano, e cila ka qenë në postin e ministres së Punës në qeverinë e Sarkozi, përfshihet në polemika. Kohë më parë ajo kishte deklaruar se Franca është një vend i krishterë i racës së bardhë që mirëpret të huajt.
Dua që Franca të mbetet Francë dhe jo të shndërrohet në myslimane, ishte fraza që tregoi në opinionin publik francez natyrën e saj ksenofobe.