Katari i ofron Zinedine Zidane 50 milionë euro në vit
Doha, 3 qershor - Sipas shkrimeve të mediave spanjolle dhe angleze, trajneri francez Zinedine Zidane ka marrë një ofertë të pabesueshme nga Federata e Futbollit të Katarit.
Pretendohet se nikoqiri i Kampionatit Botëror për vitin 2022, i ka ofruar francezit kontratë katërvjeçare me rrogë prej 50 milionë euro në vit.
Zidane të enjten shokoi të gjithë në Real Madrid, por edhe Evropën, kur njoftoi se ka vendosur që të braktis klubin, vetëm disa ditë pasi për herë të tretë me radhë fituan Ligën e Kampionëve.
Shumë vetë pyetnin se cilat janë arsyet për këtë vendim të Zidane, por edhe se ku do të shkojë. Ndodhta mediat tashmë kanë dhënë përgjigjen, meqë rroga e ofruar prej thuajse 140.000 euro në ditë edhe atë katër vite me radhë është shumë e mirë që dikush ta refuzojë.
Nëpër media theksohet se informacionin mbi ofertën e Federatës së Katarit në Twitter e zbuloi biznesmeni egjiptian Naguib Sawiris.