Kampionati Botëror, burim krenarie për Afrikën e Jugut
Johanesburg, 9 qershor - Rruga drejt Kampionatit të Parë Botëror që zhvillohet në Afrikë ka qenë e mbushur me peripeci e sfida për vendin organizator, Afrikën e Jugut.
Për këtë vend me 45 milionë banorë, ky aktivitet është burim i madh krenarie. Por ajo çështë më e rëndësishmja, Botërori shihet si një hap i rëndësishëm i rrugëtimit të këtij vendi, që ka dalë nga shtypja dhe pabarazia prej dekadash me radhë:
Gjashtë vjet më parë, Afrika e Jugut u zgjodh si organizatore për Kampionatin e parë Botëror të Futbollit që do të zhvillohej në kontinentin afrikan. Presidenti i parë pas aparteidit, Nelson Mandela, zhvilloi intensivisht fushatë, pasi e shihte Botërorin si një mënyrë për ripajtim pas ndarjeve dhe konfliktit dhjetëra vjeçar.
Deni Jordan është kreu i Komitetit Organizator Jugafrikan:
Pas 1990, kur Nelson Mandela doli nga burgu, ne pamë lindjen e një epoke të re për Afrikën e Jugut. Pas zgjedhjeve të 1994, na dolën përpara sfidat e ndërtimit të një Afrike të Jugut demokratike dhe të emancipuar.
Zyrtarët jugafrikanë u takuan gjatë Botërorit 1994 në Shtetet e Bashkuara dhe vendosën të konkuronin për tu bërë vendi organizator i Kampionatit 2006. Garën e fitoi Gjermania me një votë më tepër. Por zoti Jordan thotë se kjo vetëm e shtoi vendosmërinë e ekipit:
Ka qenë një rrugëtim i vështirë, fillimisht për të bindur njerëzit që të na shihnin si kandidaturë serioze. Si për ironi, ishte humbja jonë përballë Gjermanisë për një votë të vetme që e bëri botën të mendonte se Afrika e Jugut mund të ishte organizatore.
Qeveria jugafrikane ndërmori një fushatë masive për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për Botërorin. U investuan miliarda dollarë në stadiume, nyje transporti dhe projekte për sigurinë e komunikimin.
Por zoti Jordan thotë se ishin përpjekje me vlerë, duke pasur parasysh historinë e aparteidit dhe konfliktit në vend.
Ky Kampionat Botëror do të fillojë të hedhë farën dhe do të shërbejë për të na lidhur si komb. Ndërtimi i institucioneve, uniteti social, të gjitha do të jenë rezultante të vyera të këtij Botërori. Jemi shumë të kënaqur me ato që kemi vërejtur deri tani.
Kampionati Botëror i Futbollit do të lërë pas një infrastrukturë të re që do t i shërbejë edhe fuqizimit të ekonomisë në të ardhmen.
Kampionati lë pas edhe një ndjenjë suksesi tek një popull që beson se Afrikës i takon një vend në arenën ndërkombëtare.