Kamerun dhe Eto'o bojkotojnë miqësoren për 1500 euro
Paris, 16 nëntor - Fiton 20 milionë por ka bërë grevë për 1500 euro. Samuel Eto′o, kapiteni i Kamerunit ka qënë shkaktar për mos zhvillimin e ndeshjes miqësore me Algjerinë, pasi Federata e Futbollit nuk i kishte depozituar paratë shokëve të tij të kombëtares.
Për pasojë 44 mijë spektatorë që kishin blerë biletat janë kënaqur vetem me një ndeshje stërvitjeje.
Çështjen tashmë e ka marrë në dorë FIFA, duke qënë se Eto′o bashkë me lojtarët e tjerë të skuadrës kanë refuzuar çdo zgjidhje të ndërmjetme.
Sipas të përditshmes franceze Le Parisien Federata algjeriane e futbollit kishte pranuar të paguante paratë vetëm që miqësorja të luhej.
Megjithatë futbollistët i kanë thënë jo impenjimit zyrtar të federatës kamerunase. Mesa duket se lekët janë vonuar nga çështjet burokratike të Ministrisë së Sportit në Kamerun.
Asgjë për të bërë pasi futbollistët nuk kanë pranuar që ti hipin avionit për në Algjeri, kështu që vendasit u detyruan ta kthenin miqësoren e luksit në një stërvitje të thjeshtë e cila gjithsesi u ndoq nga 15 mijë spektatorë.
Ndërkohë problemi kryesor që duhet të përballet Federata e Algjerisë është rimbursimi i të gjithave biletave të shitura.