Kaka ka refuzuar për të shkuar te Flamengo
Madrid, 5 prill - Gazeta e përditshme sportive braziliane "Globoesporte" raporton se Kaka ka refuzuar një shans për tu larguar nga Real Madrid dhe për të shkuar te Flamengo gjatë verës.
Braziliani e ka patur të vështirë të gjejë hapësira në skuadrën e Mourinhos dhe gjatë dy merkatove të fundit ka qenë i disponueshëm për tu larguar.
Drejt konkretizimit ishte huazimi nga Milani në janar, variant që u hodh poshtë për shkak të problemeve financiare.
Zv/presidenti i Flamengos, Luiz Eduardo Baptista, sipas "Globoesporte", është takuar me të atin që është edhe agjenti i Kaka, Bosco Leite në Miami për ti paraqitur propozimin, por ai është refuzuar më pas me udhëzim të vetë lojtarit brazilian.
Kaka, kontrata e të cilit me Realin skadon në qershor 2015, duket se për momentin nuk ka dëshirë të rikthehet në Brazil.