Kaka drejt Milani, Ronaldinho te Los Anxheles
Milano, 9 tetor - Kaka drejt Milanit, një vit më vonë. Duket një çmenduri e merkatos, por duket se është më shumë se thjesht një lajm. Në bazë të zërave që vijnë nga Spanja, Adriano Galiani, administratori i deleguar i Milanit, po punon për të kthyer brazilianin në Milanelo.
Formula duket se do të jetë e njëjtë me atë që është përdorur për të marrë Ibrahimoviçin nga Barcelona: marrja borxh e lojtarit për gjashtë muajt e ardhshëm dhe blerja e detyruar në qershor.
Por, ky operacion mund të mbyllet me sukses vetëm në rast se Ronaldinho do të shitet. Pikërisht kështu, sepse nyja më e rëndësishme është kjo. Kaka, që tani është thjesht një mendim dhe asgjë më shumë, ka një rrogë të lartë që Milani, duke marrë parasysh edhe rrogat e Dinjos dhe Ibrës, nuk mund tia lejojë vetes, të paktën për momentin.
Për më shumë, në aspektin taktik, dy lojtarët nuk kanë dhënë asnjëherë rezultate të kënaqshme kur janë aktivizuar njëkohësisht. Njëri, kështu ka qenë gjithmonë, eliminon tjetrin.
Por, Ronaldinho, të cilin Berluskoni e ka parë gjithmonë si lojtari, tek i cili Milani duhet të mbështetet për të ardhmen, në muajt e ardhshëm pritet të diskutojë me drejtuesit kuqezinj për rinovimin e kontratës. Dhe këtu gjërat mund të marrin një kthesë tjetër.
Adriano Galiani, siç ka bërë me lojtarë të tjerë të rëndësishëm milanistë, do ti ofrojë Dinhos rinovimin me një ulje të ndjeshme të rrogës. Braziliani, nga ana e tij, duke parë se kontrata i skadon në fundin e këtij sezoni dhe se Los Anxheles Galaksi i ka bërë një ofertë të rëndësishme (tetë milionë në vit) ka pak mundësi që të pranojë një ulje të rrogës.
Për këtë arsye drejtuesit kuqezinj kanë filluar të mendojnë që tani për zëvendësuesin e mundshmëm. Në këtë rast Kakànë. Riki, i ndalur për shkak të një dëmtimi, nuk ka shkëlqyer në Madrid.
Ndër të tjera, pasi të jetë rikthyer në dispozicion të skuadrës do të ketë përballë një pengesë me emrin Mourinho, i cili ka pak mundësi që të heqë dorë nga Ozil për Kakànë, që nga ana e tij mund të kërkojë të largohet nga klubi madrilen, me Milanin që do të ishte gati ta priste me krahët hapur fantazistin brazilian.