Juventusi dhe PSG vazhdojnë në çerekfinale
Torino, 7 mars - Pas Real Madridit dhe Borussia Dortmundit, Juventusi dhe Paris Saint Germaini janë dy çerekfinalistët tjerë që e kanë siguruar të mërkurën mbrëma një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Zonja e vjetër e eliminoi Celticun, ndaj të cilit fitoi në Torino me rezultat 2:0.
Golat për ekipin e Antonio Contes i realizuan Alessandro Matri (24) e Fabio Quagliarella (65).
Kampioni italian kishte kryer punë qysh në ndeshjen e parë, të cilën e kishte fituar në Glasgow me rezultat bindës 3:0. Prandaj, takimi i mbrëmshëm ishte vetëm një formalitet për Bianconerët.
Ndërkaq, gjiganti francez e ruajti me kujdes kapitalin e ndërtuar në ndeshjen e parë ndaj Valencias, kur fitonte 2:1 në stadiumin Mestalla, për tu kualifikuar në mesin e tetë më të mirëve të këtij evenimenti.
PSG-së, e cila luajti pa sulmuesin kryesor Zlatan Ibrahimovic, për shkak të suspendimit, i mjaftoi barazimi në shtëpi me rezultat 1:1 ndaj ekipit spanjoll, për të ecur tutje.
Valencia kaloi e para në avantazh me anë të mesfushorit Jonas, i cili realizoi super gol në minutën e 55-të, për tua futur frikën në palcë tifozëve të pranishëm në stadium dhe lojtarëve kundërshtarë.
Mirëpo, Ezequiel Lavezzi i qetësoi të gjithë, me golin e shënuar në minutën e 66-të. Javën tjetër do të kompletohet çerekfinalja, pas ndeshjeve tjera të së tetës së finales së Championsit.