Juventus shumë pranë Drogba
Torino, 18 tetor - Siç raporton e përditshmja sportive torineze "TuttoSport", Juventus mësohet të kenë bërë hapa përpara në tentativën e tyre për të sjellë në Torino sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba.
Edhe pse karriera e tij është pranë fundit, sërish Juventusi vlerëson faktin se ai mbetet një ndër lojtarët e nivelit ndërkombëtar.
Aventura e ish bomberit të Chelsea në Kinë duket se po rezulton më e vështirë se sa parashikohej, mbi të gjitha për shkak të pagesave të vonuara nga ana e klubit, argument mbi të cilin do të insistojnë të interesuarit që kërkojnë të përfitojnë shërbimet e tij.
Gjithsesi, nuk duhet lënë pa përmenduar një detaj i rëndësishëm, që Drogba në Shanghai paguhet me shifra të frikshme apo thënë ndryshe shifra sheikësh, rreth 10 milionë euro në sezon.
Gjithashtu duhet shtuar, thekson "TuttoSport", se një ndërmjetës ka kryer një mini sondazh mbi disponueshmërinë e ish lojtarit të Chelseat për tu rikthyer në Europë, të cilit Drogba duket se i është përgjigjur pozitivsht me kusht që të mos humbasë as edhe një euro të vetme nga prishja e kontratës aktuale.
Mbyllja e karrierës së tij në Torino duket si një mundësi më e prekshme, por problem ngelen shifrat stratosferike që duken një kafshatë e madhe për Marottan dhe ortakët e tij.