Juventus interesohet për Varane, Reali kërkon 100 milionë Euro
Zbarkimi në kryeqytetin spanjoll i Eder Militaos nga Porto e ka përshpejtuar shansin që francezi të provojë një aventurë në një skuadër tjetër, por janë pak ekipe që mund të përballojnë sakrificat ekonomike.
Juventus është ekipi që ka lëvizur më shumë së fundmi për të bindur enturazhin e mbrojtësit që të zgjedhë Torinon, dhe bardhezinjtë favorizohen nga miqësia e Rafael Varane me Kristiano Ronaldon. Por pengesat janë të tjera dhe përfaqësojnë vërtet një barrierë serioze.
Real Madrid kërkon 100 milionë Euro për kartonin e mbrojtësit, dhe për këtë bazohet te interesimi i vazhdueshëm i Mancester Junaitid, që pasi i rinovoi besimin trajnerit Solskjaer, tani do t’i japë një skuadër konkurruese.
Një tjetër problem është paga e mbrojtësit francez. Ai aktualisht merr thuajse 6 milionë Euro në sezon në kampin Merenges, një shifër e kënaqshme, por e ulët krahasuar me shumicën e titullarëve te Reali.
Varane kërkon të fitojë të paktën 7.5 milionë Euro në ekipin e ri. Rruga e tij drejt Juventus është me shumë të panjohura, por kjo mund të realizohet me ndërhyrjen e një superagjenti si Zhorzh Mendes, i njëjti që solli Ronaldon te kampionët e Italisë.