Juventus, 2 javë stop për Chiellinin
Torino, 5 mars - Giorgio Chiellini ka pësuar një tërheqje muskulore kundër Chievos, që me sa duket nuk do ta lejojë mbrojtësin bardhezi të luajë për disa ndeshje. Sipas Sky Sport 24″, numri 3 bardhezi do mungojë për dy javë, pra nuk do luajë kundër Bolonjës dhe Genoas.
Mbi dëmtimin e tij, ai ka sqaruar: Kundër Chievos nuk patëm fat. Tani më duhet ta vlerësoj me stafin mjekësor këtë problem muskulor që kam në pulpë. Mesa shoh, ka shumë mundësi që të mos luaj për dy javë. Gjithsesi, nesër do bëj vizitat mjekësore, gjatë të cilave shpresoj të shkojë gjithçka mirë.
Në përfundim, Chiellini ka folur për duelin me Milanin në kampionat: Kuqezinjtë kundër Palermos treguan se po përjetojnë një moment të shkëlqyer. Edhe pse kanë shumë mungesa në formacion, ata po fitojnë. Pavarësisht kësaj, asgjë nuk ka mbaruar, pasi kampionati është ende i gjatë.