10 Janar 2025

Jahjaga mori pjesë në takimin me ekipin olimpik të Shqipërisë

Londër, 27 korrik -  Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në takimin me ekipin olimpik që përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Olimpike Verore “Londra 2012”.

Organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës, në takimin e mbajtur në selinë e Ambasadës së Shqipërisë në Londër, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha, Ministri i Kulturës, Rinisë e Sporteve i Kosovës, Memli Krasniqi, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Shqipërisë, Aldo Bumçi, ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, ambasadori i Republikës së Kosovës në Britani të Madhe, dr.Muhamet Hamiti, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Londër, z.Mal Berisha e zyrtarë të tjerë.

Në fokus të takimit ishte xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi, e cila merr pjesë në Olimpiadën e Londrës si pjesë e ekipit të Shqipërisë.

Presidentja Jahjaga, duke i dëshiruar suksese pjesëmarrësve në Olimpiadë, tha se ne të gjithë ndihemi krenarë me sportistët tanë të dalluar, me dëshirën dhe përkushtimin e tyre për të arritur rezultate sa më të mira në garat në kuadër të Lojërave Olimpike Verore të Londrës.

“Ne sot të gjithë ndihemi sportistë, te gjithë bëjmë tifozllëk dhe të gjithë me zemër dhe me shpirt e dëshirojmë fitoren tuaj”, u shpreh Presidentja, duke e quajtur një sukses në vete vet pjesëmarrjen në këto lojëra.

“Ne sot kemi këtu edhe Majlindën tonë, Majlinda Kelmendin, një sportiste e dalluar nga Kosova, që mbron ngjyrat e kombit tonë nën flamurin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike 2012 që po mbahet këtu në Londër, që shpreh humanizmin e thellë tonin dhe dëshirën, por edhe synimin që të jemi pjesë e botës, të japim me pjesëmarrjen tonë konkrete atë që na dëshmon si vlerë” tha Presidentja Jahjaga.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron në Londër me ftesë të Sekretarit të Jashtëm Britanik William Hague, merr pjesë sot pasdite në ceremoninë e hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Verore “Londra 2012”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)