Itali-Serbi: 200 mijë euro huliganëve
Romë, 17 tetor - Dy bosë mafiozë shumë të kërkuar prej kohësh në Serbi kanë paguar më shumë se 200 mijë euro për nxitjen e trazirave në stadiumin Marassi të Xhenovës, në ndeshjen Itali-Serbi.
Ky është lajmi i publikuar nga gazeta serbe Politika, që njihet si përkrahëse e qeverisë.
Duke iu referuar disa burimeve në polici, gazeta shkruan se janë krerët e dy bandave kriminale në vend, njëri i kërkuar për trafikun e kokainës ndërsa tjetri i kërkuar për një seri vrasjesh dhe përdhunimesh.
Ka shumë mundësi që dy mafiozët, edhe pse janë rivalë, të kenë financuar rrëmujat në Xhenova, pasi interesi i tyre është i përbashkët, të krijojnë kaos në Serbi, ka pohuar për gazetën një burim që ka preferuar të mbetet anonim.
Një tjetër pistë, sipas po kësaj gazete, janë dhe konfliktet e brendshme në Federatën Serbe të Futbollit, por sipas hetuesve kjo pistë konsiderohet e dobët.
Në mesjavë, në stadiumin e Xhenovës, ultrasit serbë e shndërruan atmosferën e ndeshjes në një shfaqje kafshërore me burime ultranacionaliste ballkanase.
Përvec parullave kundër pavarësisë së Kosovës, njëri nga tifozët serbë, i quajtur Ivan Bogdanov, dogji flamurin shqiptar.
Në fund kjo gazetë thekson se të arrestuarit në Itali kanë precedentë penalë edhe në vendin e tyre. Një vit më parë policia serbe ngriti kallëzim penal ndaj tyre për sjellje të dhunshme në veprimtaritë sportive.