Interi prezanton mesfushorin Antonio Candreva
Milano, 4 gusht - Shumëkush tek Interi pyet veten nëse një futbollist 29-vjeçar që ka kushtuar 25 milionë euro është një investim që garanton të ardhmen, por Antonio Candreva ka preferuar ti japë përgjigjet në fushë.
Mesfushori, i cili është nga të paktët italianë që zikaltërit kanë blerë në sezonet e fundit, u prezantua me fanelën e re duke shfaqur entuziazmin për një zgjedhje që sipas tij e kishte vendosur në majën e listës së dëshirave.
\"Jam shumë i lumtur dhe prezantimi me Interin është një emocion i fortë. Doja vetëm këtë skuadër që nga fillimi i negociatave. Falenderoj Lazion për të gjitha sezonet që kaluam bashkë dhe për faktin që më dha mundësinë të kurorëzoj ëndrrën time.\"
\"Tashmë mezi po pres që të luaj në San Siro dhe të ndjej afeksionin e tifozëve interistë\", tha Antonio Candreva.
Mesfushori i kombëtares italiane do të mbajë fanelën numër 87, ndërsa Interi do të derdhë në arkat e Lazios 22 milionë euro fillimisht e më pas 3 milionë në formë bonusi. Për Candrevën u depozitua në federatë një kontratë 4-vjeçare me gati 3 milionë euro në sezon.