24 Dhjetor 2024

Interi dëshironte Ronaldinhon, një klauzolë frenoi transferimin

Milano, 6 janar - Përveç Kakasë, Interi ëndërronte të afronte edhe Ronaldinhon. Pasi ka marrë drejtimin e stolit zikaltër, Leonardo kërkonte të afronte në skuadër fantazistin zikaltër. Trajneri kishte shërbyer si ndërmjetës i klubit më vëllain e mesfushorit, Roberto de Asis.

Madje, flitet se palët kishin arritur edhe një marrëveshje. Megjithatë, akordi nuk mund të konkretizohet në një kontratë me shkrim, sepse “Djalli” është kujdesur që të mos gjendet në befasi: që prej fillimit të bisedimeve për largimin e “Gauços” nga Milani, kuqezinjtë kishin parashikuar një klauzolë specifike.

Praktikisht, Ronaldinho, i cili ka gjetur akordin me klubin për t’u shitur në një tjetër skuadër, nuk do të mund të kthehet më kurrë për të luajtur me asnjë skuadër të Serisë A. Leonardo ishte padyshim trajneri, i cili arriti të merrte maksimumin nga fantazisti gjatë këtyre tre viteve të fundit (15 gola dhe 16 asiste në sezonin 2009-2010) në kampionatin italian.

E kundërta ka ndodhur me Ançelotin dhe Alegrin, që kanë pasur mjaft vështirësi për ta përdorur me efikasitet në fushën e lojës.

Interesimi i Interit është publikuar në Brazil, ku mediat lokale po flasin vetëm për rikthimin e Ronaldinjos në kampionatin vendas. Gjithçka është konfirmuar edhe nga De Asis, që po kujdeset më shumë se kurrë për t’i gjetur një skuadër të re vëllait të tij.

Por, Milani është kujdesur që mos t’i lërë asgjë rastësisë dhe ka përcaktuar rregulla të qarta për largimin e numrit 80. Është më se e kuptueshme që interesimi nga skuadra zikaltër ka ngadalësuar shitjen përfundimtare të 30-vjeçarit.

Flamengo, klubi që deri të dielën e kaluar dukej në avantazh për të siguruar shërbimet e Ronaldinhos, tashmë duhet të bëjë llogarit me një rival më shumë.

Bëhet fjalë për Korinthiansin, që i shtohet listës së kandidatëve, ku janë edhe Gremio dhe Palmeiras. Luis Beluzo, presidenti i klubit nga San Paolo do të takohet me Roberto de Asis dhe është shfaqur optimist për arritjen e një marrëveshjeje.

Në pritje të skuadrës së re, futbollisti po shijon “movidën” braziliane. Pasi ka zhvilluar biseda me vëllain-menaxher, administratorin e Milanit, Galiani dhe trajnerin e Flamengos, Luksemburgo, të hënën Ronaldinho fluturoi drejt Florianopolis, qytet në jug të Brazilit, i cili njihet si parajsa e sërfistëve.

Aty fantazisti ka festuar deri në mëngjes (për të katërtën natë radhazi), ndërsa u kthye në hotel në orën 05.45. Gjatë ditës së djeshme ai u kthye në Porto Alegre, ndërsa sot pritet lajmërimi zyrtar për klubin ku pritet të vazhdojë karrierën si profesionist. Për të ndjekur nga afër zhvillimet, Galiani ka vendosur që të qëndrojë në Rio de Zhaneiro, derisa të gjendet akordi për transferimin e Dinjos.

Situata vazhdon të jetë mjaft e paqartë, edhe për shkak të lajmeve të shumta që qarkullojnë rreth ofertave marramendëse për mesfushorin (së fundmi është folur se Flamengo i ka ofruar plot 500 mijë euro neto rrogë mujore).

Por, në realitet, deri më tani asnjë prej skuadrave të përfshira në ankandin për Ronaldinjon nuk ka paraqitur garancitë e nevojshme për të mbyllur një herë e mirë operacionin dhe të sigurojë firmën e ish-yllit të “seleçaos”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)