Iniesta, një dekadë në futboll
Madrid, 30 tetor - Një debutim mahnitës. Kështu e përkufizuan mediat spanjolle para 10 vjetësh takimin e parë të Andres Iniestës me Bracelonën në takimin e Champions Ligë kundër skuadrës Belge Bruzh.
Pikërisht më 29 tëtor të vitit 2002, një djalosh me emrin Andres i lindur në Fuentealbilja, braktisi Barcelonën B, që stërvitej nga Kike Kosta, për tiu bashkuar skuadrës së parë. Pas 10 vjetësh mund të thuhet se kjo ditë ishte historike.
Por edhe më i rëndësishëm është fakti që Iniesta nuk ka ndërmend të ndalet së dhuruari spektakël. Është një bekim për botën e futbollit.
Atëherë Don Andres ishte vetëm 18 vjec, kishte trup dhe një pamje fëminore, por zotëronte magjinë që e bindi holandezin Luis Van Gal që ta aktivizonte si alternativë. Atë takim Barcelona e fitoi 1-0 falë golit të Rikelmes.
Që nga ajo ditë kanë kaluar plot 10 vjet shkëlqim për futbollistin që ka fituar gjithcka me katalanasit dhe me kombëtaren spanjolle.
Don Andres sot është një lojtar i madh, i përzgjedhur së fundmi më i mirë në Europë, si dhe kandidat edhe për cmimin e topit të artë.
Është 28 vjec dhe ka fituar 5 tituj të La Ligës dhe 3 Champions Ligë me Barcelonën, 1 kupë bote dhe 2 Europiane me Spanjën, pa i përmendur trofetë të tjerë që janë të panumërt.
Dhe nuk është e rastësishme që Barcelona e sotme, e kohës së Andres Iniestës, konsiderohet më e mira e historisë së saj.