Ibrahimovic mendon largimin nga PSG
Paris, 12 mars - Zlatan Ibrahimovic nuk gjen paqe. Ish sulmuesi i Milanit edhe pse po rezulton vendimtar me fanelën e Paris Saint Germain ku shënoi dygolëshin e fitores në ndeshjen e fundit ndaj Nancy, e ka kthyer sërish vëmendjen nga Italia.
Sipas mediave franceze, është e vërtetë që skuadra e Ancelottit po varet nga këmbët e lojtarit me origjinë boshnjake, por martesa mes tyre mund të prishet në fund të sezonit për shkak të kapriçove nga ana e 31-vjeçarit, i cili nuk i ka marrë për mirë kontestimet e tifozerisë në disa raste.
Gazeta Le Parisienpyet nëse Ibra është mërzitur me aventurën e re në Francë. Një pyetje tërësisht e bazuar në pakënqësitë që po shpreh Zllatan gjatë javëve të fundit ndaj ambientit parisien.
Në vijim gazeta shton se një nga gjërat që e zhgënjen në shumë suedezin është mungesa e pasionit për skuadrën edhe pse po e tërheq drejt titullit kampion me 24 gola të shënuar në 25 ndeshje.
Por as sasia e madhe e golave nuk ka mjaftuar për të evituar fishkëllimat që kulmuan gjatë pjesës së parë të takimit të së shtunës ku Paris Saint Germain ishte në disavantazh të një goli, por edhe në mbrëmjen Champions ndaj Valencias të mbyllur në barazim 1-1.
Në këtë ftohje ka ndikuar edhe batura e sulmuesit, i cili me grimca arrogance ka deklaruar se përpara mbërritjes së tij skuadra ishte asgjë.
Në mbrojtje të tifozëve del gazeta Le Figaro që nga njëra anë vë në dukje paraqitjen e mirë të lojtarit, por nga ana tjetër shton se nëse publiku konteston, kjo nuk do të thotë se gabon. Qëndrim të kundërt mban Liberation që shkruan, Duke parë se Ibrahimovic ka shënuar 24 gola, tifozët nuk kanë asnjë arsye për tu ankuar.
Zlatan Ibrahimovic u transferua në Parc de Princes gjatë merkatos së verës, por aventura franceze duket se po shkon drejt fundit, pikërisht për shkak të mungesës së mbështetjes së publikut, një marrëdhënie që nuk është konsumuar asnjëherë si e tillë.