Hendboll: Kosova nikoqire me Bullgarinë për 17 shkurt
Prishtinë, 5 shkurt - Me rastin e dyvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave do të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare me Përfaqësuesen A të Bullgarisë.
Ky takim është konfirmuar nga zyrtarët e Federatës së Hendbollit të Bullgarisë. Detajet se ku do të zhvillohet ndeshja dhe të dhënat tjera do të bëhen të ditura gjatë ditëve.
Deri te ky takim erdhi pas kontakteve të drejtpërdrejta që patën krerët e FHK-së, Mexhit Devaja dhe Izet Gjinovci gjatë zhvillimit të Kampionatit Evropian për meshkuj në Vjenë të Austrisë fundjavën që lamë pas.
Po ashtu udhëheqësit e FHK-së parimisht kontraktuan edhe një ndeshje të Përfaqësueses së meshkujve me kombëtaren e Italisë, por kjo pritet që të bëhet zyrtare përfundimisht brenda 2-3 ditësh, sepse sipas presidentit të Federatës të Hendbollit të Italisë Françesko Purramuto duhet ndryshuar termini i zhvillimit të garave në Kampionatin italian, në mënyrë që kombëtarja italiane të zbarkon më 17 shkurt në Prishtinë.