Haxhiu dhe Hoxha dorëheqen nga Federata e Futbollit
Prishtinë, 12 tetor - Federata e Futbollit e Kosovës thotë se dy udhëheqës të lartë të saj kanë dhënë dorëheqje në harmoni me rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s, kundër lidhjeve politike në sport, raporton agjencia AP nga Prishtina.
Kryetari i federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, tha mbrëmë se pasi Kosova ishte pranuar si anëtare e rregullt e organizatës evropiane dhe botërore të futbollit, në muajin maj të këtij viti, nënkryetari Bekim Haxhiu dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Murat Hoxha, patën paraqitur dorëheqje për të mos pasur konflikt interesi, me fjalë të tjera, që politika të mos ndërhyjë në institucionet e futbollit.
Haxhiu dhe Hoxha janë anëtarë të Kuvendit të Kosovës.
Aktualisht kombëtarja e Kosovës në futboll merr pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2018, pasi u pranua në FIFA.