Grinden Robinho dhe Mexes
Milano, 11 dhjetor - Pavarësisht golit të barazimit, paraqitja e Robinhos së Milanit kundër Torinos ka lënë shumë për të dëshiruar.
Braziliani, përveçse ka humbur disa topa në mesfushë, është treguar egoist, madje në disa raste ka replikuar me shokët e ekipit, të cilët i kërkonin të vinte në ndihmë të mbrojtjes.
Dhe, në përfundim të sfidës, ka qenë mbrojtësi Philiphe Mexes, i cili ka shkuar për tia shprehur në sy të gjithë zemërimin e tij sulmuesit brazilian.
Por, në momentin kur francezi përballet me numrin 7 kuqezi, braziliani e shtyn dhe, nëse nuk do të kishin ndërhyrë Antonini dhe Flamini, debati mund të kishte degjeneruar deri në përdorimin e duarve.
Mësohet se Mexes e ka kritikuar Robinhon për impenjimin e tij të pakët, si dhe për papërgjegjshmërinë e tij në fushë kur e humbiste topin.
Ndërsa ky i fundit i ka kujtuar disa gafa që ka bërë në të shkuarën mbrojtësi francez. Tani mbetet për tu parë se çfarë masash do të marrin drejtuesit e Milanit lidhur me këtë episod të pakëndshëm.