Gjilani organizon për herë të parë garat e sportit shkollor ne disiplinën e notit
Gjilan, 20 qershor - Për herë të parë në historinë e sportit shkollor, sot u mbajtën garat komunale në not, për shkollat e mesme të ulëta të Gjilanit.
Organizimin e garave e ka bërë Shoqata e Sportit Shkollor, e mbështetur nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe është konfirmuar se mbështetja edhe gjatë të ardhmes do të jetë në zhvillimin e aktiviteteve sportive në shërbim të krijimit të kushteve më të mira për nxënësit.
Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka falënderuar për angazhimin maksimal që janë duke dhënë mësimdhënësit e edukatës fizike të cilët janë pjesë e proceseve të rëndësishme në profesionin e tyre dhe krijimit të hapësirës për nxënësit që të jenë aktiv në sportin shkollor.
Në këto gara në kategorinë e meshkujve klasa e tetë dhe e nëntë, vendin e parë e zuri Jetlum Limani, nga shkolla “Agim Ramadani” në Zhegër, vendin e dytë, Bledion Ahmeti, shkolla “Dëshmorët e Kombit” nga Livoqi i Ulët dhe vendin e tretë, Auron Hajrullahu, shkolla “Thimi Mitko” në Gjilan.
Në kategorinë e vajzave për klasat e teta dhe nënta, vendin e parë Anila Ajeti, shkolla “Musa Zajmi”, vendin e dytë Lina Latifi, shkolla “Thimi Mitko” dhe vendin e tretë, Elda Bajrami, shkolla “Sadulla Brestovci”.
Në kategorinë tjetër të garave të djemve për klasat e gjashta dhe shtata vendin e pare e zuri Altin Ajeti shkolla “Musa Zajmi”, ndërsa në kategorinë e vajzave për këto shkolla vendin e parë e zuri Altina Kosumi nga shkolla “Sadulla Brestovci”.
â