Gjashtë federatave të sportit u ndahen 913 mijë euro
Prishtinë, 13 prill - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot memorandume të bashkëpunimit me gjashtë federata të sportit, me qëllim të mbështetjes financiare për arritjen e objektivave dhe synimeve të këtyre federatave për vitin 2017.
Vlera e përgjithshme me të cilën do të përkrahen këto federata arrin shumën e 913 mijë eurove. Konkretisht, Federata e Basketbollit e Kosovës do të mbështetet me 210 mijë euro këtë vit, e Hendbollit po ashtu me 210 mijë euro, e Volejbollit me 170 mijë euro, Xhudo me 135 mijë, Karateja me 98 mijë dhe Federata e Atletikës me 90 mijë euro.
MKRS-ja, përmes nënshkrimit të këtyre memorandumeve, i ndihmon federatat ta kenë më të lehtë funksionimin e tyre, realizimin e programeve dhe synimeve të planifikuara. Gjithashtu, kjo formë e përkrahjes mundëson që federatat të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, organizimin e garave vjetore dhe pjesëmarrjen në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
Drejtuesit e federatave këtë formë të përkrahjes e vlerësojnë jashtëzakonisht pozitive. Nëpërmjet memorandumeve krijohen kushtet për planifikim më të mirë dhe për veprimtari konkrete.
Ministri Kujtim Shala u shpreh se MKRS-ja duke përkrahur federatat në këtë mënyrë, po punon për të ndihmuar sportin e Kosovës, që sportistët të jenë aktiv dhe të korrin rezultate. Federatat do të mund të planifikojnë dhe do ta kenë më të lehtë operimin kur e dinë shumën e plotë që kanë në dispozicion nga ministria, u shpreh Shala.
MKRS-ja po harton politika të atilla, që përkrahja për sportin të rritet vazhdimisht, me investime në infrastrukturë dhe subvencionim të federatave, në mënyrë që sporti i Kosovës të zhvillohet në përkim. me standardet ndërkombëtare.