Gerrard mund të kthehet te Liverpool
Londër, 4 nëntor - Steven Gerrard mund të kthehet te Liverpool. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja britanike Independent sipas së cilës, ish-kapiteni i The Reds që aktualisht është pjesë e LA Galaxy ka zhvilluar një bisedë telefonike me Jurgen Klopp.
Mësohet se trajneri gjerman i ka kërkuar 35-vjeçarit rikthimin në Anfild në muajin janar për të ndihmuar skuadrën e tij, gjë që ka krijuar një lloj entuziazmi edhe te tifozët e Liverpulit.
Kjo bisedë telefonike mes Klopp dhe Gerrard u bë pikërisht në momentin kur futbollisti deklaroi se po mendonte tërheqjen nga futbolli i luajtur.
Sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit për mua si futbollist, ishte deklarata e Gerrard për median amerikane. Do të doja që ta mbyllja karrierën time sa më mirë të jetë e mundur, tha lojtari.
Tani nuk mbetet gjë tjeter veçse të presim nëse ky rikthim i bujshëm i Steven Gerrard te The Reds do të ndodhë apo jo.