Gerard Pique pezullohet 4 ndeshje
Barcelonë, 19 gusht - Barcelona nuk do të ketë shërbimin e Gerad Pique në 4 ndeshjet e para të kampionatit spanjoll që do të startojë këtë fundjavë.
Gjykata Sportive në vendin iberik e dënoi qendërmbrojtësin e skuadrës katalanase me 4 ndeshje pezullim pas asaj që ndodhi në ndeshjen e Superkupës së Spanjës në Camp Nou me Athletic Bilbao, ku 28-vjeçari u ndëshkua me karton të kuq.
Vendimi për ndëshkimin e Pique u mor pasi Gjykata Sportive mori në shqyrtim edhe raportin e arbitrit Velasco Carballo, sipas të cilit futbollisti kishte thënë fjalë fyese në drejtim të gjyqtarit anësor.
Në të njëjtën kohë Pique u dënua edhe me një gjobë prej 3005 Euro, ndërkohë që edhe vetë klubi i Barcelonës u dënua me një gjobë prej 1400 Euro.
Barcelona do të apelojë këtë vendim të Gjykatës Sportive për të reduktuar dënimin e Pique, por një gjë e tillë duket e vështirë për t\'u arritur duke qenë se prova e vetme për këtë incident është pikërisht raporti i arbitrit.
Gerard Pique nuk do të jetë në dispozicion të Luis Enriques në ndeshjet me Athletic Bilbaon, Malagën, Atletiko Madrid dhe Levanten.