Gattuso i gatshëm të luajë pa para
Milano, 20 shkurt - Gennaro Gattuso ka deklaruar se është i gatshëm të luajë edhe pa pagesë, vetëm se ta veshë sërish fanellën e Milanit.
Mesfushori italian ka probleme me shikimin që nga shtatori i vitit të kaluar pas një përplasjeje me Alessandro Nestan, ndërsa është pritur rikthimi i tij gjatë muajit janar.
Mirëpo, një infeksion në sy ia ka shkaktuar një tjetër çrregullim, që mund ta detyrojë atë që ti jap fund karrierës futbollistike. Megjithatë, Rino nuk heq dorë nga dëshira e tij për të luajtur.
Po ndjehem më mirë dhe shpresoj që të filloj sërish angazhimin fizik brenda një jave. Aktualisht më mungon futbolli. Nëse do të varej nga unë, do të kthehesha menjëherë në fushë. Por do të pres të dëgjoj çfarë do të thonë mjekët.
Në moshë 34-vjeçare, ende nuk kam menduar për pensionim; më mungon shumë adrenalina e lojës. Po ashtu, jam i gatshëm të luaj pa para. Ia kam thënë këtë Adriano Gallianit: nuk është çështje parash; dua të bëj atë që dua, ka deklaruar Gattuso për Milan Channel.