Gati kontrata trevjeçare për Mancinin

Mançester Siti, 15 shkurt - Roberto Mancini ka bindur sheikun e Mançester Sitit dhe sipas tabloidit, The Sun, shumë shpejt trajneri italian mund të rinovojë kontratën, e cila do ta lidhë me sitizëns deri në vitin 2013.
Sheiku Al Mansur dhe presidenti i klubit britanik, Al Mubarak, janë entuziastë për rezultatet e fundit të skuadrës dhe kërkojnë ta blindojnë Mançinin për sezonet e ardhshme.
Rinovimi i kontratës lidhet me shanset e mira për kualifikimin në Champions League, ndërsa trajneri mendohet se do të përfitojë rreth 10.5 milionë euro (9 milionë sterlina).
Sipas The Sun, marrëveshja e re mund të realizohet edhe nëse Siti nuk arrin të luajë në aktivitetin më të rëndësishëm europian për klube, pasi drejtuesi i stolit ka futur një mentalitet fitues, që mund të rezultojë efikas në terma afatgjatë. Mancini kishte zëvendësuar Mark Hjuxhs në dhjetorin e vitit të kaluar.