Garimi i futbollisteve në Ligën e Kampionëve sukses historik
Prishtinë, 27 qershor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot drejtuesit e Klubit të futbollit të femrave Hajvalia dhe futbollistet e këtij klubi, të cilët i përgëzoi për sukseset e arritura në garat e Kosovës.
Po ashtu, ministri Shala i uroi sukses këtij klubi në ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kampionëve, duke e vlerësuar këtë pjesëmarrje të femrave të Kosovës në këto gara si sukses historik të futbollit të femrave dhe të sportit tonë.
Gjithashtu, Shala, u shpreh se MKRS-ja po investon në terrene sportive në Kosovë, me një përqendrim në Stadiumin e Prishtinës dhe atë Adem Jashari në Mitrovicë, meqë këto dy stadiume janë më afër plotësimit të standardeve të kërkuara nga UEFA dhe FIFA.
Ai më tej u shpreh se MKRS-ja do të përkrahë Hajvalinë në garat kualifikuese që do ti zhvillojë sivjet.
Ndërsa drejtuesit e KF Hajvalisë e falënderuan ministrin Shala për përkrahjen vazhdueshme që po i jep sportit të Kosovës, dhe u shprehën se me këtë pjesëmarrje, futbolli i femrave të Kosovës po forcohet dhe po shënon një avancim të rëndësishëm ndërkombëtar.