Gallatasaraj nxjerrë në shitje Lorik Canen
Ankara, 21 janar - Interesimi i disa klubeve angleze si Aston Vila, Bolton e Fulham, ashtu sikurse edhe Lacio në Serinë A, për mesfushorin kosovar të Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka bërë që klubi turk Gallatasaraj ta nxjerrë atë në treg për merkaton e ardhshme verore.
Gallatasaraj ka publikuar një lajm në sajtin e saj zyrtar ku shkruan se ka vendosur të krijojë një ankand për shitjen e futbollistit shqiptar, Lorik Cana, me një vlerë minimale 7 milionë euro.
Deklaratat e menaxherit dhe njëkohësisht babait të Lorikut, Agim Canaj, se me siguri mund të thuhet që Loriku do të luajë te Gallatasaraj deri në qershor, ishin sinjali i parë për largimin e mundshëm të mesfushorit nga Superliga turke.
Në fakt, klubi nuk ka vonuar të konfirmojë se karriera e 27-vjeçarit mund të vazhdojë larg Stambollit, ndërsa projektohet rikthimi i tij në Premier League.
Tri skuadra elitare në Angli, Aston Vila, Bolton e Fulham, ashtu sikurse edhe Lacio në Serinë A, ishin shprehur të interesuara për të blerë Canan në merkaton e janarit. Por, mesfushori kuqezi, ashtu si edhe drejtuesit e Gallatasarait, i kishin refuzuar ofertat.
Tashmë, qëndrimi i gjigantëve turq ka ndryshuar: Cana nuk është më i pashitshëm dhe cilado skuadër që kërkon shërbimet e tij (natyrisht që do të ketë edhe pëlqimin e lojtarit), duhet të paguajë 7 milionë euro.