Fushë Kosova bëhet me palestër sportive në vlerë prej 1.5 milion euro
Memorandumi ka për qëllim mbështetjen financiare për Ndërtimin e Palestrës Sportive në Komunën e Fushë Kosovës e cila do të implementohet prej 2017-2019.
MKRS-ja e mbështet projektin me vlerën financiare prej 1 milion e 400 mijë eurove, shumë kjo e ndarë në tri pjesë: 50 mijë euro për vitin 2017, 700 mijë euro për 2018-tën dhe 650 mijë në vitin 2019.
Ndërkaq, Komuna e Fushë Kosovës në këtë projekt do të investojë 150 mijë euro të ndara barabartë në tri vitet që parashihen me memorandum.
Ministri Kujtim Shala, tha se ky projekt do të jetë në të mirë të qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, sepse do të krijohet dhe një hapësirë e re sidomos për sportistët e kësaj komune.
Ky investim kapital, u shpreh ministri, hyn në kuadrin e përmirësimit të infrastrukturës dhe të kushteve në sport, që është edhe një prej objektivave strategjike të Qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, shprehu falënderimin për Ministrin Shala dhe MKRS-në për përkrahjen e dhënë për Fushë Kosovës.
Ai tha se ndërtimi i Palestrës së Sportit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët ngase është e nevojshme që të ketë hapësira për zhvillimin e aktiviteteve sportive për sportistët e atletët e komunës së Fushë Kosovës.
Gjithashtu, ministri Shala e kryetari Berisha vizituan lokacionin e ndarë ku pritet të ndërtohet Muzeu i Natyrës i Kosovës, tek Pishat e Sllatinës, projekt në të cilin MKRS-ja do të investojë rreth tre milion euro.