FSK dhe Forcat Shqiptare u ndanë baras në ndeshje futbolli
Tiranë, 20 qershor - Ekipi i futbollit i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) dhe ai i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë(FARSh) luajtën baraz (1:1) në ndeshjen që u luajt të premten, në Garnizonin ,,Skenderbej në Tiranë.
Për të parë nga afër ndeshjen në mes të ushtarakëve të dyja shteteve, në Tiranë qëndruan edhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës z. Haki Demolli, Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Muhamet Latifi dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtnant Rrahman Rama.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare, ekipet e futbollit janë përshëndetur nga ministri i Mbrojtjes z. Demolli dhe gjeneral Jeronim Bazo, shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të cilët u kanë uruar suksese dhe fitore në këtë ndeshjesi dhe kanë shprehur kënaqësinë e përbashkët që ndjejnë edhe në këtë aktivitet sportiv. Ndeshja, e cila ka përfunduar me rezultatin barazim 1-1, është shoqëruar në pushim të saj nga një koncert muzikor nga Grupi muzikor i Shtabit të Përgjithshëm, i cili rriti më tepër entuziazmin e ndeshjes.
Gjeneral Bazo i dhuroi kupën e garës kapitenit të FSK, pasiqe kupën e mori ekipi i FSK, sepse shënoi gol në fushën kundërshtare, ndërsa Ministri Demolli i dhuroi kupën e lojtarit më të mirë, futbollistit ushtarak nga FA të RSH, Gazmend Gashit.
Ekipi i futbollit i Forcës së Sigurisë së Kosovës drejtohet nga trajneri Afrim Nebihu, ndersa ekipi shqiptar u përgatit dhe drejtua nga kapiten Emiliano Ndoni, specialist për përgatitjen fizike në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes, në Shtabin e Përgjithshëm të FA dhe trajner, toger Enkele Likaj.
Ky aktivitet i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky aktivitet i përbashkët sportiv, ndeshje futbolli midis ekipeve përfaqësuese të dy vendeve, u zhvillua në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh midis Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe pason aktivitetin e mbajtur më parë në Prishtinë.
Ministri Demolli, Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ndanë mendime për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen, krahas fushave të tjera, edhe në atë të aktiviteteve të përbashkëta kulturore e sportive.