Franco Baresi po qëndron për vizitë në Kosovë
Prishtinë, 27 nëntor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim, legjendën e futbollit botëror dhe italian Franco Baresi, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë në kuadër të hapjes se kampit sportiv Milan Junior Camp, që mbahet në Stadiumin e Prishtinës.
Ministri Krasniqi ka shprehur konsideratat më të larta për këtë interesim që ka treguar klubi i famshëm italian AC Milan, si dhe vet Baresi, për të marrë talentë nga Kosova.
Ai u shpreh mjaftë i nderuar që i është dhënë rasti ta takojë ish-futbollistin dhe tani trajnerin e futbollit për moshat e reja, duke thënë se kjo vizitë e Baresit në Kosovë e rrit shpresën se e ardhmja e sportit në Kosovë do të jetë e ndritshme.
Prezenca zotit Baresi është një vlerë e shtuar e këtij kampi dhe inspirim shtesë për të rinjtë që marrin pjesë. Unë shpresoj, pa e lënë anash faktin që pesë fëmijë do të shkojnë në Milan, ajo që është e rëndësishme, do të frymëzojë të rinjtë tanë duke iu treguar se mundësitë për futbollin tonë janë duke u shtuar dhe se e ardhmja do të jetë me e mirë se e tashmja, tha ministri Krasniqi në konferencën për shtyp pas takimit.
Nga ana e tij, Franco Baresi tha se ndjehet mjaftë mirë që po viziton Kosovën dhe të sheh nga afër talentet që ka vendi ynë.
Ai po ashtu falënderoi ministrin për gatishmërinë dhe interesimin e treguar që të diskutojnë bashkë për futbollin e Kosovës. Me tutje, Baresi shtoi se ka vërejtur se në Kosovë ka shumë entuziazëm për futboll.
Një iniciativë shumë e rëndësishme kjo për hapjen e kampit. Duam që këta të rinj të rriten dhe zhvillohen në futboll. Kam dëgjuar se këtu ka talent dhe potencial për futboll. Dua të falënderoj të gjithë që kanë mundësuar hapjen e këtij kampi. Sapo kam ardhur por mendoj se ne vendin tuaj, që ka kaluar nëpër shumë vështirësi, ka shumë entuziazëm dhe talentë, u shpreh ai në konferencë.
Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët, ministri Krasniqi ka folur edhe për infrastrukturën sportive në Kosovë dhe procesin e ndërkombëtarizimit të sportit.
Ai shtoi se infrastruktura në futboll, por edhe në sporte të tjera, është jo e mirë si shkak i mosinvestimeve për dekada me radhë.
Ministri tha se tashmë gjërat kanë ndryshuar, duke përmendur kështu të arriturat konkrete që janë shënuar në këtë aspekt, gjatë këtij viti.
Ndërtimi i gjashtë stadiumeve ndihmëse në gjashtë komuna të Kosovës, rritja e buxhetit për këtë vit për renovim të stadiumeve, dhe dyfishimi i tij për vitin e ardhshëm krahasuar me këtë vit, sipas ministrit janë angazhime konkrete që tregojnë për hapa pozitiv.
Ai tha se gjetja e mundësive për përmirësimin e infrastrukturës është një angazhim i përditshëm i tij dhe shtoi se ka një bashkëpunim shumë të mirë edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Në lidhje me ndërkombëtarizimin, ministri tha se e ka njoftuar Baresi për vështirësitë që po i sjell fakti që Kosova sështë e pranuar ndërkombëtarisht.
Sepse talentët tanë e kanë të pamundur të tregojnë aftësitë e tyre jashtë vendit, pasi të gjitha garat zhvillohen vetëm në Kosovë. Shpresojmë se të gjithë miqtë e Kosovës do të jenë në gjendje të na ndihmojnë në këtë synim tonin. Padyshim se ne do të jemi në kontakte të vazhdueshme me të gjithë ata miq që do të mund të na ndihmojnë në këtë proces, tha ministri.
Hapja e Milan Junior Camp është mundësuar nga kompania Taçi Oil International, që është njëri nga sponsorët e skuadrës së Milanit. Kampi do të hap punimet nesër ndërsa do të zgjas deri të premten.
Ky kamp do të përfshijë 200 fëmijë nga mosha 8 deri në 14 vjeç.
Vetëm 5 nga këta 200 fëmijë do ta kenë fatin që të përzgjidhen si më të mirët ndërsa më pas ata do të vëzhgohen hap pas hapi nga drejtuesit e Milanit dhe varësisht nga forma apo talenti i tyre do të përcaktohet se cili nga ta mund të jetë pjesë e skuadrës së madhe evropiane.