29 Nëntor 2024

Flamuri i Kosovës do të valojë në Lojërat Mesdhetare të Spanjës

Prishtinë, 20 qershor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ia ka dorëzuar solemnisht Flamurin e Kosovës, Ekipit Olimpik të Kosovës, i cili për herë të parë do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, që mbahen në Tarragona të Spanjës.

Presidenti Thaçi ka thënë se numri i sportistëve tanë që po marrin pjesë në gara ndërkombëtare është duke u rritur çdo herë e më shumë.

“Për herë të parë po përfaqësohemi zyrtarisht nga 40 sportistë, 13 trajnerë dhe 4 gjyqtarë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se “prej 4-5 sportistëve sa na kanë përfaqësuar më herët, tash kemi arritur në 40 sportistë dhe vitin tjetër do të jemi edhe më tepër”.

Kreu i shtetit ka thënë se Flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë në ceremoninë e hapjes dhe mbylljes së këtyre lojërave.

“Do të lartësohet sa më shumë prej sportistëve tanë si simbol shtetëror i fitoreve të tyre, fitoreve tona”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë se përtej kënaqësisë që pranuan sot Flamurin e Republikës së Kosovës, është edhe ndjenja e krenarisë që flamuri ynë do të valojë në Tarragona.

“Janë përgatitur mjaft mirë sportistët dhe besoj se edhe do e tregojnë më të mirën e tyre gjatë këtyre lojërave”, ka thënë Hasani.

“Nga zemra dëshiroj t’ju falënderoj për përkrahjen e përhershme dhe ju premtojmë se edhe ne do të mundohemi ta prezantojmë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme dhe të ngrisim sa më lartë imazhin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Duke folur në emër të sportistëve, kampionia e shumëfishtë botërore në xhudo, Majlinda Kelmendi, theksoi se ndjehet mirë për faktin se është një numër i madh i sportistëve që do të marrin pjesë në lojëra mesdhetare, në krahasim me numrin që ka qenë në Rio.

“Është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe për mua të pranoj flamurin”, ka thënë ajo, duke shprehur besimin se sportistët do ta përfaqësojnë denjësisht shtetin tonë për herë të parë në lojërat mesdhetare.

Presidenti Thaçi u uroi suksese të gjithë sportistëve tanë që do të garojnë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)