Fillojnë lojërat Olimpike Dimërore në Vankuver
Vankuver, 13 shkurt - Në qytetin kanadez Vankuver filluan Lojërat e 21-ta Olimpike Dimërore. Ceremonia e hapjes me ndezjen e flakës olimpike iu kushtua rrëshqitësit gjeorgjian Nodar Kumaritashvili.
Ky u aksidentua dje për vdekje gjatë stërvitjes në pistën e shpejtësisë së lartë në Vistler. 21-vjeçari humbi kontrollin mbi slitën, doli nga pista dhe u përplas me një pjesë çeliku.
Në Vankuver do të startojnë rreth 2.700 atletë nga 82 vende, aq shumë sa asnjëherë më parë në historinë olimpike. Mbajtës i flamurit gjerman gjatë ceremonisë së hapjes ishte fituesi i trefishtë olimpik në disiplinën e rrëshqitjes me bob André Lange.