FIFA merr në konsideratë përjashtimin e Iranit nga Botërori
Gjenevë, 21 tetor - Zërat për përjashtimin e Iranit nga Kupa e Botës po shtohen gjithmonë e më shumë dhe tani në FIFA po marrin seriozisht në konsideratë një vendim të fortë, sidomos pas kërkesës zyrtare të një pjese të futbollistëve iranianë.
Protestat e shumta dhe shpesh të dhunshme, për më shumë liri, barazi e drejtësi, janë në thelb të kërkesës, teksa për këtë situatë, futbollistët iranianë kanë dalë me një deklaratë zyrtare, ku i kanë kërkuar FIFA-s përjashtimin e vendit të tyre nga Kupa e Botës Katar 2022.
E nëse qeveria botërore e futbollit merr një vendim të tillë ekstrem, vetëm një muaj para startit të Botërorit, atëherë ata që do të marrin vendin e Iranit në Katar, janë Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kjo pasi FIFA është e detyruar ta zëvendësojë shtetin e përjashtuar me një përfaqësuese tjetër që bën pjesë në po atë konfederatë, konkretisht në konfederatën aziatike.