FIFA më 22 mars vendos për futbollin e Kosovës
Cyrih, 22 shkurt - Kryetari i FFK-së Fadil Vokrri dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër Naim Malaj, në selinë e FIFA-së në Cyrih janë takuar me presidentin e FIFA-s Sep Blatter.
Me këtë rast Blatter i është dorëzuar letra e Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, në të cilën kryeministri Thaçi ka shprehur mospajtimin e Qeverisë së Kosovës por edhe të FFK-së në lidhje me vendimin e FIFA-s për të ashtuquajtura modalitete për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare duke i konsideruar këto modalitete si të papranueshme.
Në letër kryeministri Thaçi i ka kërkuar kreut te FIFA-s që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të marrin një vendim që do të ishte në përputhje me statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe i pranuar nga më shumë se gjysma e shteteve që janë anëtare të OKB-së.
Ndërkaq që edhe Vokrri e Malaj, ia kanë bërë të qartë Blatter se vendimi jo vetëm që është i papranueshëm por edhe është diskriminues që shkel edhe të drejtat universale të njeriut.
Nga ana e tij Blatter dhe një herë ka shfaqur mirëkuptimin e tij për futbollin e Kosovës, duke premtuar se kjo çështje do të diskutohet sërish në mbledhjen e radhës të KE të FIFA-s më 22 mars të këtij viti.
Pas takimit edhe Vokrri edhe Malaj janë shprehur optimistë se kjo çështje do të vendoset në të mirë të futbollit të Kosovës.