FIFA e bën Gjilanin me dy stadiume ndihmëse
Gjilan, 23 janar - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me financim të shtëpisë më të madhe të futbollit në botë, FIFA, do t’i ndërtoj dy stadiume ndihmëse në Gjilan.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e sotme të Bordit të Drejtorëve.
“Tashmë veç është punë procedurash dhe pritet të nis ndërtimi i këtyre stadiumeve, pas stadiumit me standarde të FIFA, rindërtimin e të cilit kemi filluar muaj më parë. Me këto stadiume, do të rritet jashtëzakonisht shumë niveli i futbollit dhe klubet e sportistët tanë do ta kenë shumë më të lehtë funksionimin”, ka thënë Haziri.
Përndryshe, muaj më parë Komuna e Gjilanit ka nisur me rindërtimin e stadiumit të qytetit, i cili ka kosto prej mbi 5 milionë euro dhe do të ndërtohet në tri faza.