Federata Evropiane e Hendbollit përjashton nga gara Serbinë
Beograd, 23 mars - Federate Evropiane e Hendbollit ka vendosur që të përjashtojë nga gara ekipin kombëtar serb, pasi autoritetet serbe anuluan ndeshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
“Si rezultat i intervenimit të autoriteteve qeveritare në Serbi, ndeshja kualifikuese në kategorinë e femrave në grupmoshën nën 20-vjeç, në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ishte paraparë të mbahej më 23 mars, nuk është mbajtur”.
“Për shkak të rrethanave, pas anulimit të ndeshjes dhe dështimit të Serbisë që kjo ndeshje të mbahej, Federata ka vendosur që ekipi i Serbisë të përjashtohet nga gara e mëjtejme”, thuhet në njoftimin e Federatës Evropiane të Hendbollit.
Ndeshja e anuluar sot ka qenë e vlefshme për kualifikimet për kampionatin botëror për kategorinë juniore, që do të zhvillohet në Hungari. Në grup me Kosovën dhe Serbinë janë edhe Norvegjia dhe Sllovakia.
Lidhur me vendimin e autoriteteve serbe, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, e cila ka thënë se ndjen keqardhje që është anuluar ndeshja.
Qeveria ka thënë po ashtu se “krijimi i situatave të frikshme dhe armiqësore, kur në fushë të sportit duhej të shfaqeshin vajza të reja të cilat do të ofronin lojë dhe spektakël sportiv, është papërgjegjësi e shtetit serb dhe institucioneve të rendit dhe të sigurisë të Serbisë”.
Ndërkaq, Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se lojëtare e hendbollit të Kosovës nuk do të luajnë asnjë lojë në turneun kualifikues për Kampionatin Botëror në Serbi.
“Përveç lojës kualifikuese në hendboll në mes të ekipit të Serbisë dhe Kosovës, nuk do të ketë lojë ndaj Kosovës dhe Norvegjisë të shtunën, po ashtu as ndeshjet që janë paraparë që lojëtaret e Kosovës të zhvillojnë të dielën. Vendimi për anulimin e ndeshjeve të lartëpërmendura është bërë për të parandaluar çdo konflikt të mundshëm në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.