Federata e Bilardos dhe Federata e Muay Thai mbështetën me nga 20 mijë euro secila
Prishtinë, 5 qershor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në kuadër të mbështetjes financiare për federatat e sportit ka nënshkruar sot memorandume bashkëpunimi edhe me dy federata sportive.
Memorandumet e sotme u nënshkruan me Federatën e Bilardos së Kosovës dhe me Federatën e Muay Thai të Kosovës, të cilat u mbështetën me vlerë financiare 20 mijë euro secila. Në bazë të këtyre memorandumeve, federatat janë të obliguara që këto mjete t’i shfrytëzojnë për realizimin e politikave të tyre programore.
Me këtë rast ministri Gashi tha se përkrahja financiare për këto federata sportive është në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve për përkrahjen financiare të federatave sportive të Kosovës.
“Ne si Ministri e Sportit jemi të përkushtuar që t’ju krijojmë lehtësira federatave sportive, në mënyrë që ato t’i realizojnë me suksese planet dhe objektivat e tyre për të sjellë rezultate në sportin kosovar”. tha ministri Gashi.
Ndërkaq, përfaqësuesit e këtyre federatave falënderuan ministrin Gashi për mbështetjen e vazhdueshme që u bëhet atyre si dhe sportit kosovar në përgjithësi.