Eto'o: Federata e Kamerunit e korruptuar
Yaounde, 23 dhjetor - Samuel Etoo tha se drejtuesit e Federatës Kamerunase të Futbollit janë të gjithë të korruptuar.
Drejtuesit e Fecafut janë të korruptuar të gjithë, pa asnjë përjashtim, deklaroi Etoo në një intervistë për 2Canal 2 International".
Sulmuesi i Anzhit është dënuar me 15 ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës i Fecafut javën e kaluar sepse lojtarët e Kamerunit, me në krye kapitenin Etoo, bojkotuan një ndeshje miqësore ndaj Algjerisë për shkak se nuk kishin marrë shpërblimet.
Kam 5 vjet që nuk flas me presidentin Iya Mohamed sepse i kam thënë që nuk jam dakord me mënyrën se si po e drejton futbollin kamerunas. Në vend që të merret me problemet e ekipit kombëtar e ka mendjen të mbushi xhepat, shtoi ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Interit.
Në lidhje me dënimin, afrikani tha: Më vjen shumë keq dhe jam i trishtuar, por e pranoj këtë dënim. Nuk do të apeloj.