Eliminohet Roma, Liverpooli në të tetën e finales
Romë, 26 shkurt - Roma është mposhtur edhe para tifozëve të vet nga Panathinaikosi dhe kështu është përshëndetur me ëndrrën për ta fituar Europa League.
Takimi i parë i zhvilluar në Athinë përfundoi me fitoren prej 3-2 të skuadrës greke, ndërsa edhe ndeshja kthyese e zhvilluar në Stadio Olimpico përfundoi me të njëjtin rezultat në favor të Panathinaikosit.
Vendasit kaluan të parët në epërsi me anë të John Arne Riise (12), mirëpo deri në fund të pjesës së parë, mysafirët realizuan tri herë, me anë të Djibril Cisse (40 dhe 45+1) dhe Sotiris Ninis (43).
Krejt çka bënë Giallorossët ishte një gol i shënuar nga Daniele De Rossi në pjesën e dytë (67) për të ngushtuar epërsinë në 3-2.
Pas këtij takimi, Panathianikosi kualifikohet në 1/8 e finales së Europa League me fitore të përgjithshme prej 6-4.
Ndersa Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat 3-1 dhe me rezultat përgjithshëm prej 4-1, kundër skuadrës rumune Unirea Urziceni, për tu kualifikuar në 1/8 e finales së Europa League.
Takimi i parë i zhvilluar në Anfield përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Të Kuqve, ndërsa në ndeshjen kthyese të zhvilluar në Bukuresht, Redsat fituan me rezultat 3-1.
Ishin rumunët ata që krijuan avantazh në minutën e 19-të, ndërsa njëmbëdhjetë minuta më vonë, Javier Mascherano barazoi rezultatin (30).
Pa përfunduar pjesa e parë (41), Ryan Babel krijoi epërsinë e parë për mysafirët, ndërsa kapiteni Steven Gerrard vendosi rezultatin përfundimtar (57).