Ekspertit i futbollit gjerman, Michael Nees, angazhohet në Kosovë
Prishtinë, 23 janar - Sot, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është nënshkruar një Deklaratë e përbashkët e qëllimit, ndërmjet Ministrisë Federale për Punë të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Kjo deklaratë është nënshkruar nga ministri Kujtim Shala dhe nga Angelika Viets, Ambasadore e Gjermanisë në Kosovë, dhe ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve ekzistuese ndërmjet dy shteteve, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit konkret në fushën e sportit.
Me këtë Deklaratë, të dyja palët kanë rënë dakord përkitazi me interesat dhe objektivat e përbashkëta sa i përket promovimit të sportit, e në veçanti futbollit.
Synimi i kësaj Deklarate të përbashkët të qëllimit është që të përcaktojë detyrat e partnerëve, konkretisht, me delegimin e ekspertit të futbollit, Michael Nees, në Republikën e Kosovës, i cili, në marrëveshje me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, do të fokusohet në zhvillimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së futbollit të Kosovës.
Po ashtu, detyrat e tij, në këshillim me Federatën e Futbollit të Kosovës, janë trajnimi themelor dhe i mëtejmë për trajnerët; Krijimi dhe implementimi i një programi për përmirësimin e strukturave të futbollit në nivel rajonal dhe kombëtar, me fokus të posaçëm në futbollin e fëmijëve dhe të rinjve, duke përfshirë futbollin e femrave dhe vajzave si dhe futbollin në shkolla; Organizmi dhe mbajtja e seminareve dhe kurseve për trajnime themelore dhe të mëtutjeshme të trajnerëve, mësimdhënësve sportiv për trajnerë dhe instruktorëve sportiv; Krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të garave dhe ligës; Përfshirja e federatave regjionale (lokale) të futbollit në strukturat e federatës kombëtare të futbollit; Mbështetja e krijimit të ekipeve përfaqësuese të rinjve.
Deklarata e përbashkët e qëllimit fillimisht do të zbatohet për një periudhë dyvjeçare, duke filluar me arritjen e ekspertit në Republikën e Kosovës, ndërsa zbatimi i saj mund të zgjatet në tre ose më së shumti katër vjet.
Ministri Shala dhe Ambasadorja Viets e vlerësuan si akt pozitiv nënshkrimin e kësaj deklaratë dhe shenjë të bashkëpunimit të mirë ndërmjet dy vendeve.