Edin Dzeko pranë Juventusit
Torino, 7 dhjetor - Juventus dhe Milan nuk janë vetëm dy rivale në fushën e lojës, sepse të dyja shoqëritë po punojnë në të njëjtën rrugë edhe në merkato.
Nëse kuqezinjtë u treguan më të shkathët për të marrë Tevez nga Manchester City, Juventus nis menjëherë punën për të shkëputur një tjetër sulmues jo shumë të çmuar nga skuadra e Mancinit.
Bëhet fjalë për bomberin boshnjak, Edin Dzeko, i cili u transferua në Angli vetëm një vit më parë.
Sipas gazetës Tuttosport, Dzeko i ka telefonuar ish shokut të skuadrës te Wolfsburg, Barzagli, duke i kërkuar informacione për kryeqendrën e rajonit të Piemontes.
Prej kohësh, Dzeko nuk cilesohet më një lojtar titullar në skuadrën e Manchester City, kjo edhe për shkak të formës së mirë që po kalon dyshja Balotelli-Aguerro.