Dybala largohet pas 7 vitesh nga Juventus
Torino, 22 mars - Paulo Dibala nuk do të rinovojë kontratën me Juventusin. Sulmuesi argjentinas ka vendosur që të largohet në fundin e sezonit aktual, duke mbyllur kështu eksperiencën 7-vjeçare me fanellën bardhezi.
Drejtori ekzekutiv i torinezëve, Maurizio Arrivabene tha se Dibala nuk është në qendër të projektit për të ardhmen, kjo e ndikuar edhe nga ardhja e sulmuesit Vlahoviç gjatë merkatos së janarit.
28-vjeçari duket se nuk është bindur nga oferta e dhënë nga italianët, që do të humbasin kështu një xhevahir si argjentinasi me parametra zero.
Shumë skuadra janë në garë për të firmosur me Dibalën. Inter, Totenhem, Barcelona dhe Atletiko e Madridit kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. “Los Colçoneros” shikojnë tek ish-lojtari i Palermos zëvendësuesin e sulmuesit kryesor, Luis Suarez.
Në favor të spanjollëve është fakti se trajneri Simeone e ka pëlqyer talentin e patriotit të tij prej vitesh.
Divorci me Dibalën është një tjetër largim me peshë nga Juventusi pas Kristiano Ronaldos një vit më parë. Që prej vitit 2015, ku erdhi në Torino, sulmuesi argjentinas ka shënuar 113 gola në 283 ndeshje në të gjithë garat, duke fituar 5 kampionate të Seria A, katër kupa Italie dhe po aq Superkupa kombëtare.