Dumoshi: Kosova ka shënuar progres në infrastrukturën sportive
Prishtinë, 17 gusht - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, ka takuar sot presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në futbollin e Kosovës dhe rreth investimeve të shumta që po realizon MKRS-ja në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive në vend.
Ministrja Dumoshi u shpreh se Kosova ka shënuar progres në infrastrukturën sportive dhe gjithashtu po punohet me dinamikë të shtuar me qëllim të përmirësimit të cilësisë së infrastrukturës sportive sipas rekomandimeve të UEFA-së.
Po ashtu, ministrja Dumoshi e falënderoi presidentin Ceferin për përkrahjen e vazhdueshme që UEFA i ka dhënë futbollit të Kosovës, sidomos pas anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, dhe shtoi se kjo është një arritje e madhe e Kosovës.
Pas takimit, ministrja Dumoshi, së bashku me presidentin Ceferin dhe kryetarin e FFK-së, Vokrrin, vizituan punimet në Stadiumin e Prishtinës.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, u shpreh i kënaqur me dinamikën e punimeve në këtë stadium.
Ndërsa ministrja Dumoshi u shpreh se MKRS-ja do të punojë që të realizojë edhe pjesën e mbetur të investimeve, me qëllim që të përfundojë sa më parë renovimi i tërësishëm i këtij stadiumi.
Dumoshi me këtë rast e falënderoi edhe kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrrin për angazhimin e tij të palodhshëm për zhvillimin dhe avancimin e sportit të Kosovës.
Në kuadër të vizitës, Presidenti i UEFA-së, Ceferin, i shoqëruar nga ministrja Dumoshi dhe kryetari i FFK-së, Vokrri, qëndruan edhe në Shtëpinë e Pavarësisë “Ibrahim Rugova”.