Drogba fundos Arsenalin, Çelsi rikthehet kryesues
Londër, 8 shkurt - Blutë e Londrës mposhtën 2-0 Arsenalin në derbin londinez duke u rikthyer në krye të Premier Ligës dhe njëkohësisht duke i dhënë një goditje të fortë Topçinjve në luftën për titull.
Skuadra e Karlo Ançelotit mbylli gjithçka që në pjesën e parë, kur Didier Drogba shënoi dy herë në portën e Almunias (8 dhe 23). Kaq për tu shënuar në këtë sfidë dhe megjithë përpjekjet e Arsenalit për të gjetur rrugën e rrjetës, përballja në Stamford Bridge i pa vendasit triumfues.
Me këtë tripikësh Çelsi rikthehet në krye tëkampionatit anglez, duke ruajtur distancën prej dy pikësh nga Mançester Junajtid i vendit të dytë. Duket se ky do të jetë dueli që do të na shoqërojë deri në takimin e fundit, sepse me formën që po kalojnë, asnjëri nga ekipet duket se nuk ka ndërmend të lëshojë pe.
Pas javës së 25-të Blutë kanë 58 pikë, dy më tepër se Djajtë e kuq. Ndërkohë që Arsenali është një hap më prapa dhe tashmë e sheh veten shtatë pikë larg vendit të dytë dhe nëntë nga vendi i parë.