Drogba e Juventus pajtohen për kontratë

Torino, 17 dhjetor - Gjithçka gati në selinë e Juventusit për zbatimin e planit të blerjeve të janarit. Klubi bardhezi, i cili tashmë i ka zbardhur disa nga objektivat e tij, dje ka bërë të qartë edhe strategjinë që do të ndjekë kundrejt tyre.
Çështja e parë dhe më e rëndësishme përfshin afrimin në skuadër të Didier Drogbas, një përpjekje kjo që, sipas të gjitha gjasave, do të përfundojë pozitivisht në ditët e para të vitit 2013.
Për momentin ngërçi i vetëm i këtyre bisedimeve lidhet me kohëzgjatjen e bashkëjetesës në Torino mes palëve.
Nëse Juventusi është gati të shpenzojë diçka të përafërt me 10 milionë euro për një sezon e gjysmë, Didier Drogba duket se u ka kërkuar kampionëve të Italisë një kontratë prej të paktën dy sezonesh e gjysmë dhe diçka e tillë ndan palët për momentin.
Nga njëra anë Zonja e vjetër edhe mund ta pranojë këtë gjë, por kurrsesi në shifrat ekonomike të përfolura deri tani, 6 milionë euro në sezon.
E thënë ndryshe: Drogba është i mirëpritur në Torino edhe për dy vjet e gjysmë, por sulmuesi afrikan kurrsesi nuk do të paguhet më shumë se 4 milionë euro në vit. Tashmë i takon ish-yllit të Chelseat të pranojë ofertën e fundit të Juventusit.
Ndërkohë klubi bardhezi, duke qenë se tashmë do të humbë Lucion në janar dhe duke parë dëmtimet dhe kualifikimet e trios së mbrojtjes, Barzagli-Bonucci-Chiellini, ka vënë në shënjestër mbrojtësin argjentinas të Napolit, Hugo Campagnaron, i cili është në mbarim të kontratës me bardhekaltrit.
Në orët e kaluara u përfol për një parakontratë mes tij dhe Interit, por menaxheri i tij saktësoi se asgjë nuk është e vërtetë.
Duke parë që Campagnaro mund të largohet me parametër zero, Juventusi është gati ti ofrojë atij një kontratë prej dy vjetësh e gjysmë me nga 2 milionë euro në sezon, për të blinduar repartin më të sigurt të trajnerit Antonio Conte.
Gjithsesi, këto bisedime dhe plane për momentin janë hedhur vetëm në letër.