Dragashi me palestër 1,6 milion euro
Dragash, 21 shtator - Dragashi do të bëhet me palestër të re sportive. Sot është vënë gurthemeli për këtë projekt të infrastrukturës fizike sportive, në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit investon 1,6 milion euro.
Në ceremoninë e vënies së gurëthemelit mori pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi së bashku me Kryetarin e Komunës së Dragashit, Shaban Shabani.
Me këtë rast, ministri Gashi është shprehur se Komunën më jugore të Kosovës nuk e kemi lënë anash ngase kjo trevë ka sportistë të talentuar dhe që ka një traditë në sport.
“Ka qenë një zotim i yni që qytetarët dhe sportistët e Dragashit t’i bëjmë më infrastrukturë moderne dhe jam shumë i lumtur që po e jetësojmë një projekt shumë kapital”, ka thënë ministri Gashi.
“Ky projekt që po e fillojmë sot është një prej palestrave më moderne që po ndërtojmë së fundmi në krejt Kosovën. Ka një kosto prej 1.6 milionë euro. Kemi mjete financiare të planifikuara deri në përfundimin e këtij projekti”, u shpreh ministri, duke premtuar se në bashkëpunim edhe me Komunën e Dragashit, projekti do të përfundohet në afat rekord në mënyrë që qytetarët e Dragashit të zhvillojnë aktivitetet e tyre.
Ndërsa kryetari i Dragashit, Shaban Shabani, ka falënderuar ministrin Kujtim Gashi për realizimin e këtij projekti. Ai ka thënë se ky qytet ka pasur nevojë për realizimin e këtij projekti dhe do të shfrytëzohet që të rinjtë dhe sportdashësit t’i zhvillojnë garat e tyre në këtë objekt.