Dënohen finalistët e Botërorit
Barcelonë, 4 gusht - FIFA ka dënuar Holandën dhe Spanjën për disiplinën e dobët gjatë finales së Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Spanja e mposhti Holandën me rezultat minimal, në një takim i cili u shoqërua me lojë të ashpër nga të dyja skuadrat.
Federata Holandeze e Futbollit, që mori edhe numrin më të madh të kartonave do të detyrohet të paguajë shifrën prej 14 500 dollarësh.
Për Holandën ata që u ndëshkuan me kartona në këtë finale ishin Van Persi, Van Bomel, De Jong, Van Bronkhorst, Roben, Van Der Vil, Matejsen dhe Heitinga.
Ky i fundit mori dy kartona të verdhë që u pasuan nga një i kuq.
Ndërsa Federata Spanjolle e Futbollit është gjobitur me 9650 dollarë gjobë për kartonat e verdhë të marrë nga Pujol, Ramos, Kapdevila, Iniesta dhe Çavi Hernandez.
Sipas rregullores, një skuadër përfaqësuese ndëshkohet me gjobë nëse 5 ose më shumë futbollistë te saj marrin kartona të verdhë nga arbitri i një ndeshjeje.
Finalja mes Spanjës dhe Holandës, cilësohet si ndeshja me lojën më të rëndë pas asaj të botërorit të 1986 në Meksikë mes Argjentinës dhe Gjermanisë.