De Biasi mund të mos rinovojë me Shqipërinë
Tiranë, 29 mars - Gianni De Biasi, trajner i Kombëtares Shqiptare, mund të mos e rinovojë kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), edhe pse kjo e fundit ia ka ofruar një gjë të tillë pas fitores ndaj Norvegjisë.
Ish-trajneri i Brescias, Torinos, Udineses e Levantes, ka deklaruar për mediat italiane se do të donte të kthehej në punën me klubet dhe shpreson të ketë oferta nga Italia apo edhe Spanja.
De Biasi e ka vlerësuar detyrën e trajnerit të përfaqësueses së Shqipërisë, duke theksuar se është duke çuar përpara një projekt, por nuk mendon se kjo do të jetë etapa e fundit e karrierës së tij.
Ai ka kontratë me FSHF-në deri në tetor 2013 dhe ka ndërmend ta respektojë atë deri në fund, megjithatë nuk e ka mbajtur fshehtë dëshirën për tu kthyer në Itali ose Spanjë.