Cristiano Ronaldo merr çmimin Këpuca e Artë"
Paris, 5 nëntor - Cristiano Ronaldo, sulmuesi i Real Madridit, ka marrë pasditen e së premtes çmimin e golashënuesit më të mirë të Evropës në sezonin e shkuar ose thënë ndryshe Këpucën e Artë.
Këtë trofe dua ta ndaj me të gjithë shokët e ekipit, presidentin e klubit dhe tifozët e Real Madridit. Gjithashtu ia dedikoj familjes dhe të fejuarës sime, u shpreh portugezi.
Çmimi iu dorëzua nga presidenti i nderit i Real Madridit, Alfredo di Stefano, dhe legjenda portugeze Eusebio.
Është një fenomen i vërtetë. Po luan shumë mirë me Real Madridin dhe shpresojmë që të vazhdojë kështu edhe për shumë vite të tjera, theksoi di Stefano.
Cristiano Ronaldo ka shënuar në sezonin e shkuar 40 gola me fanellën e bardhë në kampionatin spanjoll, duke marrë 80 pikë (rekord i ri) në renditjen e golashënuesve të të gjithë ligave evropiane.
Ylli i Realit është i sigurt se ky do të jetë viti në të cilën madrilenët do të thyejnë rivalitetin e Barcelonës dhe do të triumfojnë në Evropë dhe kampionatin spanjoll.
Këtu kam më shumë presion se tek Manchesteri, por unë jam ambicioz, dëshiroj të tregoj të gjitha vlerat e mia. Nuk shpresoja të shënoja kaq shpejt 100 gola tek Reali, por ja që ia dola dhe tani shoh përpara vetëm drejt sukseseve të reja.
Futbollisti më i shtrenjtë në historinë e shitblerjeve, i siguruar për 96 milionë euro në vitin 2009, Cristiano thotë: Do të ishte e bukur të fitoja Topin e Artë, por nuk janë titujt vetjakë ato për të cilat ëndërron një futbollist. Lojtarët e Realit janë shumë unikë dhe cilësorë. Jemi të vendosur të luftojmë për të gjithë titujt e mundshëm. Tani vjen pjesa më e vështirë e sezonit, por jemi të unikë dhe të gjithë besojmë tek arritja e gjërave të mëdha, transmeton Top-Channel.
Pas ndeshjes me Lyonin në Champions League, Ronaldo ka aktualisht 100 gola në 105 ndeshje të zhvilluara me Realin, me një mesatare të frikshme prej 0,95 golash për ndeshje. Me këtë mesatare, Ronaldo ka lënë pas legjenda si di Stefano, Hugo Sanchez apo Pahinjo. Vetëm Pushkash pati nevojë për më pak ndeshje për të kapur këtë kuotë, e arritur prej tij në vetëm 101 takime.