City ul çmimin e shitjes së Tevezit

Manchester, 10 tetor - Derisa Karlos Tevez është gjithnjë e më pranë largimit nga Siti, drejtuesit e klubit anglez po mundohen të bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre, në mënyrë që argjentinasi të largohet nga skuadra në afatin kalimtar dimëror, andaj kanë vendosur që ta ulin çmimin e shitjes së futbollistit të suspenduar.
Çmimi fillestar për Tevezin ishte madje 40 milionë funta, por në Siti pas konfliktit me trajnerin Roberto Mançini janë të vendosur të heqin dorë nga kushtet e tij dhe të zvogëlojnë në mënyrë drastike shifrat.
Situata e re e krijuar ka ndikuar që tregu i vlerës të futbollistit argjentinas të bie në mënyrë drastike, ashtu që në Istlends do të jenë të kënaqur nëse do të fitonin një shifër katër herë më të vogël, përkatësisht 10 milionë funta, vetëm për ta hequr qafesh ish-kapitenin.
E ardhmja e Tevez duket se është vënë në pikëpyetje, pasi që skuadra braziliane Korintians ka bërë të ditur se nuk është më e interesuar për shërbimet e sulmuesit, ndërsa Mançini ka thënë se argjentinasi nuk do të luajë më kurrë për Sitin derisa ai të jetë trajner.